VIZAT PËR
SHTETASIT E HUAJ

Informacione rreth vizave për vizitë dhe qëndrim në territorin e Republikës së Kosovës, së bashku me listën e shteteve që nuk kanë nevojë për viza të qëndrimit të shkurtër.

FORMULARËT E APLIKIMIT

Vizë për qëndrim të shkurtër

Plotësojeni këtë aplikacion nëse qëllimi juaj është të qëndroni më shkurt se 3 muaj në Republikën e Kosovës.

Shkarko këtu
Vizë për qëndrim të gjatë

Plotësojeni këtë aplikacion nëse qëllimi juaj është të qëndroni më gjatë se 3 muaj në Republikën e Kosovës.

Shkarko këtu

DËRGO FORMULARIN

Dërgo formularin për vizë bashkë me dokumente shtesë nëse nevojitet

LISTA E SHTETEVE QË NUK KANË NEVOJË PËR VIZA

PËRGATITJA E DOKUMENTEVE PËR VIZË KOSOVARE

Nëse nuk jeni shtetas nga njëri ndër vendet e listuara më lartë ose nuk i përkisni njërës ndër Kategoritë e Veçanta atëherë ju duhet të aplikoni për vizë kosovare nëse dëshironi të vizitoni ose tranzitoni nëpërmjet territorit të Republikës së Kosovës.

Aplikacionin duhet ta dorëzoni personalisht jo më herët se tre (3) muaj para fillimit të vizitës pranë Misionit Diplomatik ose Konsullor përkatës të Republikës së Kosovës. Bartësit e vizës për shumë hyrje mund ta dorëzojnë aplikacionin gjashtë (6) muaj para skadimit të vizës valide.

Kategoritë e veçanta të liruara nga vizat

Kategoritë e cekura mëposhtë lirohen nga nevoja për t’u pajisur me vizë  

 

    • Shtetasit e vendeve për të cilët Republika e Kosovës aplikon regjim vizash por të cilët kanë leje qëndrim valid biometrik të lëshuar nga njëri ndër shtetet e Zonës Schengen, po ashtu bartësit e vizës valide shumë-hyrëse të Schengen-it lirohen nga nevoja për tu pajisur me vizë kosovare për hyrje, transit dhe qëndrimi në territorin e Republikës së Kosovës. Qendrimi i tyre brenda territorit të Republikës së Kosovës kufizohet në 15 ditë.

    • Shtetasve të : Shteteve anëtare të BE-së, Shteteve anëtare të Zonës Schengen, Selisë së Shenjtë, Principatës së Andorës, Principatës së Monakos, Republikës së San Marinos, Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi, dhe Republikës së Serbisë i’u lejohet hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 90 ditë për një periudhë gjashtë (6) mujore, me letërnjoftim biometrik valid.

    • Bartësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare të lëshuara nga shtetet e Federatës Ruse, Republikës Popullore të Kinës, Egjiptit, Indonezisë, Ukrainës i’u lejohet hyrja, transiti dhe qëndrimi deri në 15 ditë në territorin e Republikës së Kosovës.

    • Bartësit e dokumenteve të udhëtimit valide të lëshuara nga administratat e regjioneve të veçanta të Republikës Popullore të Kinës: Hong Kongu dhe Makao, lirohen nga nevoja për tu pajisur me vizë.

    • Bartësit e dokumenteve të udhëtimit të lëshuara nga Tajvani, lirohen nga nevoja për të aplikuar për vizë me kusht që paraprakisht të njoftojnë misionin diplomatik ose konsullor të Republikës së Kosovës, së paku 2 javë më herët.

    • Kur dokumentet e udhëtimit valide të lëshuara në bazë të Konventës për Statusin e Refugjatit  (1951) dhe Konventës për Statusin e Personave pa Shtetësi (1954) sikurse dhe dokumentet e udhëtimit për të huaj valide, janë të lëshuara nga vendet anëtare të BE-së dhe Zonës Shengen, si dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadës, Australisë, Japonisë, Zelandës së Re, atëherë bartësit e tyre lirohen nga nevoja për tu pajisur me vizë kosovare për hyrje, tranzit, dhe qëndrim në territorin e Republikës së Kosovës i cili kufizohet në 15 ditë.

    • Bartësit e Dokumenteve të udhëtimit (Laissez-Passer) të lëshuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, NATO, OSBE, Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian, janë të liruar nga procedurat për pajisje me vizë që të hyjnë në vend pa marrë parasysh nacionalitetin e tyre.

Çka duhet të përmbajë aplikacioni?
  • Formularin e kërkesës për vizë të plotësuar dhe nënshkruar në origjinal. Personat e përfshirë në dokumentin e udhëtimit të aplikuesit duhet të dorëzojnë aplikacion të veçantë. Në rast se aplikuesi është i mitur, formulari duhet të nënshkruhet nga prindërit ose kujdestari ligjor;

  • Një kopje e dokumentit të udhëtimit i cili dëshmon se ka vlefshmëri së paku tre muaj pas datës së largimit nga territori i Republikës së Kosovës. Dokumenti i udhëtimit duhet të ketë së paku dy (2) faqe të zbrazëta;

  • Një fotografi (jo më të vjetër se 1 muaj) në përputhje me ICAO (International Civil Aviation Organization) standardet;
Dokumentet mbështetëse:
  • Dëshminë për qëllimin e qëndrimit në Republikën e Kosovës;

  • Dëshminë në lidhje me akomodimin ose dëshminë e posedimit të mjeteve të mjaftueshme për akomodim;

  • Dëshminë për mjete financiare të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit në Republikën e Kosovës dhe për kthimin në vendin e origjinës, ose transitit ne vendin e tretë në të cilin i është e siguruar hyrja, ose që është në pozitë për të i fituar ato në mënyrë të ligjshme;

  • Sigurimin shëndetësor valid në Republikën e Kosovës që mbulon gjithë periudhën e qëndrimit në Republikën e Kosovës;

  • Taksa e aplikimit për vizën C është 40 Euro. Taksa e aplikimit për vizën D është 80 Euro, e cila duhet të paguhet nga aplikuesit perveç poseduesve të pasaportave diplomatike apo zyrtare; fëmijëve nën moshën 6 vjeç; nxënësve, studentëve dhe mësimdhënësve në shoqërimin e tyre në vizita që kanë për qëllim studimet apo trajnimet;

Vini re: Ju lusim orientohuni në faqen përkatëse të Misionit Diplomatik ose Konsullor ku ju do të paraqesni kërkesën e vizës për të marrë detajet e bankës ku duhet bërë pagesa.

INFORMATA TË RËNDËSISHME
  • Varësisht nga qëllimi i vizitës, zyrtari Konsullor mund të kërkojë dokumente të tjera mbështetëse;

  • Të gjitha dokumentet mbështetëse duhet të jenë të përkthyera në një nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës ose në gjuhën Angleze;

  • Të gjitha dokumentet duhet të dorëzohen në dy (2) kopje;

  • Bartësit e pasaportave diplomatike/zyrtare lirohen nga taksa e vizës dhe nga obligimi i paraqitjes personale me rastin e aplikimit;

  • Parashtruesi i kërkesës për vizë të cilit i është refuzuar viza mund të paraqesë ankesë ndaj refuzimit brenda 8 ditësh kalendarike pranë misionit në të cilin është bërë aplikimi për vizë.

  • Vetëm posedimi i vizës nuk jep automatikisht të drejtën e hyrjes.

Kontakt

SHKRUAJI ZYRËS SË KOMUNIKIMIT